Presidenti Ilir Meta ka reaguar me një deklaratë për mediat pas publikimit të opinionit inal të Komisionit të Venecias në lidhje me shkarkimin e tij.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat thuhet se “si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak”.
Teksa rendit konkluzionet e Komisionit të Venecias, Meta thekson se “shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”.
Deklaratë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta:
14 tetor 2019
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës.
Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak.
Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se:
1. Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.
2. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.
3. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.
4. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.
5. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.
Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.


