Pas vendimit të Prokurorisë, e cila kërkoi arrestimin e Albert Veliut, i njohur si ‘Babalja’ apo dëshmitari X, Fredi Alizotit, si detyrim paraqitje për Jetmir Olldashin, vjen reagimi nga Lulzim Basha. Ky i fundit përmes një mesazhi në Twitter tha se askush nuk priste diçka tjetër nga Rama-Marku dhe Xhafaj, lidhur me akuzat për përfshirje të vëllait të ministrit në trafik droge.
“Kush priste dicka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa- Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim. Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet”, -shkruan Basha.


