• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 14 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

14 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
VELIPOJA E “FSHEHUR”/ Ja ÇFARË mund të bëni në PERLËN e VERIUT: Nga vizita në Reç deri tek rëra e…
Home
Media të Huaja

VELIPOJA E “FSHEHUR”/ Ja ÇFARË mund të bëni në PERLËN e VERIUT: Nga vizita në Reç deri tek rëra e…

23 July, 2018 g.autor Destinacione, Media të Huaja

Velipoja ndodhet në Rajonin e Shkodrës, pranë kufijve me Malin e Zi.

Emri Velipojë vjen nga sllavishtja e vjetër (Velikopoje – Fushë e Madhe). Zona turistike shtrihet në një sipërfaqe 300 ha dhe kufizohet në veri me rezervatin e Menaxhuar të Velipojës, në jug me detin Adriatik, në lindje me rrethin e Lezhës dhe në perëndim me lumin Buna. Zona ka rreth 8 km vijë bregdetare dhe përfshin Ishullin Franc Josef, që vazhdimisht ndryshon formë.  

Vija kufitare ndjek Bunën e poshtme. Fshati turistik i Velipojës, ndodhet 35 km nga qyteti i Shkodrës, është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peizazh të larmishëm,ku ndërthuren hijshëm plazhi, lumi, delta me ishuj, kodra, fusha, laguna, pylli, liganatat.

Kjo zonë shquhet për tradita dhe histori të hershme, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës të njohur në të gjithë Shqipërinë. Fshati bregdetar, plazhi  i madh dhe qendra turistike shtrihen në jugperëndim të Shkodrës, në fushën e gjerë të Velipojës të lagur nga Adriatiku, pranë kufirit me Malin e Zi, me të cilin e ndan lumi Buna dhe grykëderdhja e tij. Relievi është tërësisht fushor, nga 1-3 metra mbi nivelin e detit deri në 550 m (maja e Zezë në kodrën e Rencit). Kjo ka sjellë formimin e kënetave dhe moçaleve të shumta.

Fshati Velipojë është qendra e komunës dhe përfshin 10 fshatra: Velipojë, Reç, Pulaj,

Luarzë, Baks, Rrjoll, Gomsiqe, Boks i ri, Mal i Kolajve, Reç i ri. Emri Velipojë vjen nga sllavishtja e vjetër (Velikopolje – fushë e madhe). Historikisht ka qenë zonë e dominuar nga fisi i vjetër i Kastratit, që njihej me emrin fisi i pesë bajraktarëve.

Zona turistike

Zona turistike shtrihet në një sipërfaqe 300 ha dhe kufizohet në veri me rezervatin e menaxhuar të Velipojës, në jug me detin Adriatik, në lindje me rrethin e Lezhës, në perëndim me lumin Buna. Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe rërë të imët. Ajo është e pasur me vlera unike natyrore, në të cilat dallohen: Plazhi i madh me gjatësi 14 km, gjerësi 200 m me rërë të imët. Plazhi rigjenerohet çdo vit nga baticat dhe zbaticat, duke e bërë përqindjen e jodit në rërë shumë të lartë. Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë, pishë e drurë të tjerë fletorë, me shkurre të blerta, ligatina me bimësi ujore, duna etj. Vitet e fundit Velipoja është bërë edhe qendër masive e argëtimit nokturn për shkak se një sërë klubesh, diskosh dhe lokalesh të tjera nate kanë hedhur rrënjët e tyre në plazh. Velipoja ofron edhe strehim në hotele përgjithësisht komode që ofrojnë kushtet e nevojshme për pushime të rehatshme.

Mrekullitë natyrore të zonës

Rezervati i menaxhuar i Velipojës. Ky rezervat (700 ha), shtrihet në deltën e lumit Buna, rreth 8 km larg nga Velipoja. Ai përbëhet nga pylli mjaft i dendur me pisha mesdhetare, vërri, frashër, plep, shelg shkurre mesdhetare etj. Ky rezervat është I pasur me ligatina me bimësi pyjore e shkurre, livadhe me bimësi barishtoretë dendur. Në këtë pyll jetojnë kafshë të shumta të egra: lepuri, çakalli, derri i egër, fazani etj. Të shumtë janë shpendët migratorë dhe të përhershëm. Rezervati është një nga pozicionet më të bukura për pritjen e shpendëve migratorë për periudhën e dimrit të tilla si shapka, shapka e ujit, rosa dhe pata. Delta e Bunës. Delta e Bunës, është krijuar nga depozitimet e këtij lumi, ka formën e një trekëndëshi të madh me bazë nga deti.. Delta e Bunës është afër 10 km nga qendra e Velipojës. Një udhëtim nga fshati i Velipojës drejt deltës së Bunës është mjaft i këshillueshëm për amatorët e shëtitjeve në natyrë.

Bukuri e fshehur

Në juglindje të Velipojës ndodhet një fashat me bukuri të panjohura që quhet Boks-Rrjoll. Shtrihet pranë detit dhe mali i Rrencit ngrihet thikë mbi të. Vizita në këtë fshat mund të bëhet me varkë nëpër lagunë apo me këmbë. ky fshat është mjaft i njohur për traditat etnografike dhe folklorike. Plazhi i këtij fshati është i virgjër me rërë të pastër e ujë kristal. Duke ecur më tej, ndodhesh pranë Rërës së Hedhun, që përbën një masiv të rërës të grumbulluar nga nga era në këmbët e kodrës gëlqerore të Rencit. Nga Velipoja në Rërën e Hedhun rruga është 8 km, por e vështirë. Mund të udhëtohet vetëm me barkë.

Laguna e Vilunit

Laguna e Vilunit ndodhet 2 km në lindje të plazhit të Velipojës, ka një sipërfaqe rreth 300 ha dhe një thellësi përgjithësisht 1-3 m. Dikur kjo lagunë është quajtur laguna e Lundrezës, sepse ka patur shumë lundra, që është një gjitar interesant që ushqehet me peshq. Kjo lagunë rrethohet nga ligatina, komunikon me detin përmes një kanali natyror, në të cilin për shkak të baticës dhe zbaticës uji ndryshon drejtim çdo 6 orë. Ka ujë të kripur me temperaturë mesatare 20-22 C. Kjo lagunë është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe mjaft të shijshëm. Këtu hasen rreth 200 lloje shpendësh, migratorë dhe të përhershëm.

 

Rruga

Rruga Tiranë-Shkodër është 97 km e gjatë dhe kthesa për në Velipojë ndodhet 5 km para se të mbërrini në Urën e Bahçallëkut, në të majtë, aty lexon Harku i Bërdicës. Që nga rruga kryesore distanca për në Velipojë është 24 km.  Rruga nga Mali i Zi për në Shkodër kalon nga dogana e Muriqanit, 14 km, dhe hyrja në qytet bëhet nga Ura e Bunës. Në Muriqan ndodhet edhe një pikë shumë e rëndësishme pushimi dhe informacioni që është Kompleksi Çeliku. Nga Mali i Zi mund të vihet edhe nëpërmjet doganës së Hanit të Hotit, 35 km, pastaj përmes Bajzës e Koplikut, mund të vihet nga pjesa veriore e qytetit. Rruga për në Velipojë nuk është e keqe, por jo e standardeve evropiane. Është si shumica e rrugëve të Shqipërisë me mungesa të sinjalistikës, vijëzimeve, vendpushimeve etj.

Ushqimi

Ushqimi në Velipojë është në përgjithësi tradicional. Baza e kuzhinës këtu është peshku.  Duke qenë e rrethuar nga të gjitha anët me ujë, zona e Shkodrës ofron jo vetëm bollëk, por edhe larmi llojesh të peshkut si deti ashtu edhe liqeni apo lumi. Pa dyshim që më i famshmi është krapi, cili kulmin e tij të gatimit e ka me tavën e famshme të krapit, të cilën shkodranët e “qajnë”. Por në Velipojë gjen edhe gatime të tjera si “qebapët”, ose qoftet e zgarës, që janë zgjidhja më e shpejtë për një drekë të lehtë me birrë të ftohtë, dy antipasta dhe ndonjë pjatë sallatë, ose thjesht një ushqim të shpejtë në dorë. Edhe mishit të pjekur të fërlikut dhe gicit, për shkak të mjeshtërisë së pjekjes këtu i hahen edhe kockat. Duke qenë pjesë e Ultësirës Shkodrane, produktet e zonës, bulmetrat, frutat dhe perimet janë të bollshme dhe cilësore. Në kushte shtëpie mund të përdorësh peshk të freskët që mund ta pjekësh pa shumë mundim vetë në zgarë.

Ishulli i Franc Jozefit

Ky ishull i vogël, por shumë i bukur ndodhet në deltën e lumit Buna. Ai ka një histori interesante, pasi është krijuar nga depozitimet e aluvioneve të lumit, mbas mbytjes në 1881 të anijes austriake me të njëjtin emër nga flota ruse, që kishte ardhur për të detyruar shqiptarët t’i dorëzonin Ulqinin Malit të Zi, në zbatim të vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare. Ky ishull dallohet për bimët dhe kafshët e rralla si druri i rrënjës, që është një lloj dushku alluvial tepër i rrallë dhe në rrezik në zhdukje.

Frekuentuesit

Frekuentuesit dhe pushuesit më të shumtë që vijnë në Velipojë, më së shumti janë nga zona veriore e Shqipërisë, nga Shkodra dhe rrethinat e saj, si dhe nga Tirana. Vitet e fundit Velipoja po tërheq për herë e më shumë turistë nga Kosova dhe Maqedonia, jo vetëm për shkak të distancës së afërt, por edhe të përshtatjes së psikologjisë dhe mentalitetit të tyre me psikologjinë dhe zakonet e banorëve vendës.  Velipoja, tashmë me një infrastrukturë të bollshme dhe mikpritëse, i ka mundësitë të ofrojë gjithçka që duhet për një pushim të qetë dhe relaksues. Ajo po bëhet për vit dhe më tërheqëse.

 

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Sulm kamikaz në një xhami në Nigeri, 7 të vdekur dhe 7 të plagosur
Previous article Harrojeni Hazardin/ Real Madrid gjen zëvendësuesin e Ronaldos brenda familjes

g.autor

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT