Kreu i ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së ish-diktatorit Hoxha, e cila ndërroi jetë sot në moshën 99-vjeçare.
Në një lidhje telefonike për “News24”, ai tha se u largua “një xhelatë nga shoqëria shqiptare”.
Ndregjoni u shpreh se ndjen keqardhje për faktin se mbas 30 vitesh pluralizmit politik, 4500 familje kërkojnë ende eshtrat e njerëzve të tyre, duke bërë përgjegjëse klasën politikë në vend.
Sipas kreut të ish-të përndjekurve politikë, Nexhmie Hoxha dhe në vitin e fundit të vdekjes së saj me librin e saj fliste me një urrejtje ndaj të përndjekurve politikë.
“Një ndjesi boshllëku do ta quaja. Që u largua një xhelatë nga shoqëria shqiptare e cila për krimet që bëri, nuk u dënua, por u dënua për kafe.
Një maskaradë e qeverive shqiptare paskomuniste që mos të dënonte krimet e saj dhe të bashkëshortit të saj Enver hoxha.
Kur vdes një xhelatë nuk ka ndjesi, por ndihesh shumë i trishtuar kur mbas 30 vitesh pluralizmit politik, 4500 familje kërkojnë eshtrat e njerëzve të tyre dhe kjo klasë politike e papërgjegjshme në vend që t’i gjente këto eshtra, i ka lënë këto familjarë në zi.
Çdo gjë do ta pranoja, por sigurisht që Nexhmie Hoxha dhe në vitin e fundit të vdekjes së saj me librin e saj fliste me një urrejtje ndaj të përndjekurve politikë. Ndaj çfarë ndjesie mund të kesh për një xhelate”, tha ai.