47-vjeçarja Adelina Sejdini me origjinë nga Durrësi, që bashkëpunoi me policinë italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion, është vetëvrarë, duke u hedhur nga ura të shtunën 6 nëntor.
Gruaja, që më parë është shfrytëzuar si punonjëse seksi, denoncoi tutorët e saj në vitin 1996, kur ajo ishte vetëm 22 vjeçe. Ajo u rrëmbye dhe më pas u përdhunua dhe u shfrytëzua për vite të tëra si viktimë e prostitucionit në Itali.Shtetasja shqiptare kishte kërkuar statusin e refugjatit, që nuk iu pranua asnjëherë. Sipas medieve italiane, kjo ishte dhe arsyeja pse gruaja ndërmori aktin vetëvrasës.
Më herët ajo ishte shprehur se shteti italian i kishte premtuar mbrojtje kur denoncoi tutorët, por kjo nuk ndodhi.
E ftuar në mediat italiane më 3 nëntor ajo ka thënë: ‘Nëse kthehem në Shqipëri jam një grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që kam denoncuar dhe janë arrestuar’.
Miku i saj italian, Daniel Schiano, i cili është polici, ishte sot në një lidhje “Viber” nga Italia me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel. Ai tha fillimisht se e njihte viktimën prej disa vitesh dhe se ishin shumë miq.
“Njiheshim prej rrjeteve sociale e më pas u bëmë miq, e kemi kaluar kohë bashkë. Ishim shumë të lidhur”, tha Schiano, i cili shtoi se ka folur me të për herë të fundit një natë para se ajo të merrte aktin drastik.