Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e sotme në afërsi të fshatit Novoselë, duke vënë në alarm zjarrfikëset dhe banoret pasi flakët iu afruan zonës ku ndodhen disa banesa.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse me mjetet e tyre. Pas dy ore pune, zjarrfikësit arritën të izolojnë flakët dhe të shmangin rrezikun për banesat.
Aktualisht vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit, ndërsa shkaqet e rënies së tij mbeten ende të paqarta.
Temperaturat e larta dhe era kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve në terren.


