Mes 17 viktimave që humbën jetën një ditë më parë kur një varkë u mbyt në liqenin e Misurit, janë edhe nëntë anëtarë të një familjeje, thonë zyrtarët në shtetin e SHBA, detaj që e bën edhe më tragjik këtë ngjarje të rëndë.
Një i mbijetuar, i afërm me viktimat tha për mediat amerikane se kapiteni i anijes i kishte thënë 31 pasagjerëve që të mos veshin xhaketa shpëtimi.
“Barka e rosës”, siç njihet ky mjet, po transportonte 31 turistë në liqenin Table Rock, në afërsi të qytezës turistike Branson, kur u përmbys pasi një stuhi e frikshme e përfshiu vendin që është një atraksion turistik shumë i populluar.
Gruaja që thotë se ka humbur nëntë anëtarë të familjes së saj, është identifikuar si Tia Coleman. Ajo është një nga dy personat në familjen e saj që i ka mbijetuar incidentit të rëndë.
“Kam humbur të gjithë fëmijët e mi, kam humbur burrin, vjehrrin, vjehrrën, xhaxhain, kam humbur motrën time, nipin. Unë jam mirë nga ana shëndetësore, por kjo që ka ndodhur është me të vërtetë e tmerrshme”, tha ajo për Fox News.
“Kapiteni na tha: “Mos u shqetësoni për të veshur xhaketën e shpëtimit, nuk do të keni nevojë për të”, kështu që askush nuk i veshi, sepse dëgjuam kapitenin dhe ai na tha të qëndronim ulur”, u shpreh më tej ajo.