Në një kohë që varianti MU ka përhapur frikë se do të përsëritet një skenar i ngjashëm me DELTA, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka “qetësuar” qytetarët, duke thënë se e gjitha është një alarm fals dhe për këtë ka dhënë argumente shkencore. 98.1% e rasteve të reja në Europë, pjesë e të cilave është Shqipëria, janë të prekur me janë Delta, ka sqaruar ai në studion e Report Tv.
“Ne po infektohemi me Delta, 98.1% e rasteve të reja janë Delta, MU për momentin duket në alarm flas, sepse në mënyrë paradoksale mbrojtësi jonë është Delta, ai duhet të mbizotërojë Deltën, ndërkohë që është e kundërta, Anglia që e deklaronte në Europë, janë vetëm prej udhëtarë , pra po të kishte MU, do i gjente Anglia”, tha Alimehmeti.
Për shkak të rritjes së rasteve të reja, vendi ynë, si edhe disa shtete në botë, kanë shtrënguar masat anti-COVID, por për Alimehmetin, është e gabuar! Kjo sepse sipas tij, në këtë fazë të pandemisë, nuk duhet t’u jepet më rëndësi rasteve të reja, por shtrimeve në spitale që aktualisht në Shqipëri janë në gjendje stabël. Ai këmbëngulë që masat e reja duhet të bazohen mbi shtrimet në spitale dhe jo rastet e reja.
“Ne shohim qartë që është i njëjti virus, Delta si këtu në rajon dhe nuk duhet të shohim më rastet e reja, të ruajmë infektimet nuk duhet të shihen më, duhet të shohim rastet e rënda, ne këtu kemi më pak të shtruar. Dhe ditën kur të gjithë të jenë të imunizuar, e dimë që grafiku i personave të shtruar duhet të jetë sa më i ulët, pa i dhënë rëndësi rasteve të reja. Masat e reja të bëhen mbi shtrimet në spitale, dhe jo raste të reja, kështu e ka Gjermania, Anglia, Italia” , tha ai.
Një problematikë është që është hasur jo pak gjatë këtyre muajve, ku vendi ynë është nën “pushtetin” e virusit, është marrja e antibiotikëve nga qytetarët si një masë paraprake. Në studion e Report Tv, Alimehmeti tha se ky vendim sjell më shumë pasoja negative nga sa mund ta mendonim.
“74% e qytetarëve kanë marrë antibiotik kot, me parimin do i dal para, por kjo ul forcën imunitare, dhe s’po e lë trupin të bëjë luftën që trupi do e bënte natyrshëm, pjesa tjetër i ka pasur të nevojshme”, tha Alimehmeti në Report Tv.


