Të ftuar në emisionin “Java në RTSH” për të folur rreth pandemisë së COVID-19 ishte mjeku i njohur Perlat Kapisyzi dhe zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini.
Në panelin me analistët Lorenc Vangjeli dhe Preç Zogaj, Tomini u shpreh se prej disa javësh nuk kemi humbje jete dhe kjo është shumë e rëndësishme.
“Pavarësisht kësaj, duhet të theksojmë që COVID është prezent dhe pandemia me të papriturat e saj po tregon që edhe në ditët që sapo kemi lënë, kemi një tendencë në rritje të rasteve të konfirmuara positive. Pra kemi një luhatje të situates në 24 orë,”- u shpreh Tomini.
Më tej, mjeku Kapisyzi u shpreh një nga mekanizmat e mbijetesës së virusit është mutacioni i cili e bën atë të depërtojë më shpejt dhe më thellë në qelizë.
“ Transmetueshmëria është pjesë e pasojave të virusit. Sa më shumë njerëz të infektohen, aq më shumë bëhen simptomatik, aq më shumë shtrohen në spital dhe aq më shumë fatalitete kemi. Një virus nuk mbijeton as në dërrasë as në xham, por tek një qenie humane dhe një nga maknizmat e mbijetesës është mutacioni. Mutacioni është i tillë që e bën virusin të depërtojë shumë më shpejt dhe kollaj në qelizë, që është element tjetër i virulencës,”- u shpreh mjeku Perlat Kapisyzi në emisionin “Java në RTSH”.
Kapisyzi u shpreh se varianti Delta është 225% më i transmetueshëm sesa i Whanit dhe nuk është më i lehtë se variantet e tjera pavarësisht numrit më të vogël të vdekjeve.