Mjekët kryesorë në Britaninë e Madhe kanë paralajmëruar se ekziston një “rrezik real” i një vale të dytë të COVID-19 dhe se vendi duhet të fillojë të përgatitet.
Në një letër drejtuesve të të gjitha partive politike të Britanisë, mjekët e lartë kanë bërë thirrje për një rishikim të shpejtë për të përgatitur vendin për një krizë tjetër.
Gjashtëmbëdhjetë kirurgë kryesorë, mjekë, psikiatër, shkencëtarë, infermierë, profesionistë të tjerë mjekësorë dhe redaktorët e revistave më të mira mjekësore në Britani, vunë emrin në letrën dërguar qeverisë.
Sipas tyre, një vëmendje e shpejtë i duhet kushtuar furnizimit me pajisje mjekësore, testimit dhe infrastrukturës për gjurmimin e kontakteve.
Letra vjen ndërsa kryeministri Boris Johnson njoftoi se shumica e rregullave të bllokimit do të hiqen më 4 korrik, duke vazhduar vetëm me distancimin social.
“Ndërsa forma e Ardhshme e pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar është e vështirë të parashikohet, provat në dispozicion tregojnë se shpërthimet lokale janë gjithnjë e më shumë të mundshme dhe një valë e dytë është një rrezik real.
Shumë elementë të infrastrukturës së nevojshme për të luftuar virusin kanë filluar të vendosen, por mbeten sfida të konsiderueshme. Duhet të siguroheni që vendi është i përgatitur në mënyrë adekuate për të përballuar një valë të dytë”, thuhet në letër


