Vajzës së këngëtares i digjet makina, dyshohet për zjarrvënie të qëllimesh. Një automjet tip “Smart” është djegur plotësisht dy ditë më parë në qytetin e Bilishtit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të martës. Pronarja e makinës është Dejzi Arapi, 23 vjeçe. Vajza e këngëtares së njohur Luljeta Perbasha, ngre dyshime se gjithçka ka qenë e qëllimshme dhe e lidh ngjarjen me një konflikt që ka pasur disa ditë më parë me një vajzë po nga Bilishti.
Automjeti me targë AA 311 JI është shkrumbuar para derës së shtëpisë së saj në qytetin e Bilishtit. Makina personale e saj është shkrumbuar e tëra, teksa ishte parkuar para banesës.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur 23-vjeçarja është kthyer në banesë për të marrë diçka, por sapo ka hyrë brenda, ka dëgjuar një shpërthim dhe në momentin që ka dalë ka parë makinën të përfshirë në flakë. Sipas të dhënave, Dejzi Arapi ditë më parë ka pasur konflikt me një vajzë nga qyteti i Bilishtit për motive banale, ndërsa akuzon babain e vajzës se kjo mund të jetë një zjarrvënie e qëllimshme në shenjë hakmarrjeje.
“Para një jave kam pasur një konflikt banal me një vajzë tjetër po nga Bilishti. Ka qenë një grindje mes ne të dyjave dhe arsyeja është fare e vogël, por gjithsesi ne u grindëm ashpër. Më tej mendoj se ajo ka vënë në dijeni edhe familjen e saj dhe dyshoj se nga inati mund të më kenë djegur makinën. Të martën pasdite, unë kisha dalë dhe rreth orës 19:00 u ktheva në shtëpi për të marrë diçka. Parkova para shtëpisë si gjithmonë dhe hyra brenda. Pak minuta më vonë dëgjova një shpërthim të fuqishëm dhe dola menjëherë jashtë kur pashë makinën në flakë. Njoftova Policinë dhe ia kam thënë dyshimet e mia për këtë rast”, ka deklaruar 23-vjeçarja.
Lidhur me ngjarjen, Policia ka bërë shoqërimin e babait dhe vajzës, me të cilën Dejzi Arapi pretendon se ka pasur konflikt. Pavarësisht pretendimeve të 23-vjeçares, Policia, nga hetimet paraprake, dyshon se gjithçka mund të ketë qenë aksidentale. “Më datë 30.10.2018, në Bilisht, ka rënë zjarr në mjetin tip ‘Smart’ me targa AA311JI, të parkuar në rrugë, në pronësi të shtetases D.A, 23 vjeçe, banuese në Bilisht, i cili për pasojë është djegur plotësisht. Po punohet për përcaktimin e shkaqeve të djegies së mjetit si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, bën të ditur Policia.


