Në ditën e Pavarësisë ka ardhur në urim i veçantë nga ShBA. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar shqiptarët për festën e flamurit ku shkruan se këtë vit ata festojnë edhe vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.
Ai ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria në realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Gjithashtu Pompeo ka përgëzuar Shqipërinë për udhëheqjen e saj në krye të OSBE-së dhe përkushtimin e saj ndaj komunitetit Transatlantik.
“Ndërsa Shqipëria feston Ditën e saj të Pavarësisë, unë ju dërgoj urimet në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan.
Këtë vit, ne festojmë edhe vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, një shenjë e përparimit të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Ne e përgëzojmë Shqipërinë për udhëheqjen e saj si kryesuese e OSBE-së për 2020-ën dhe vlerësojmë gjithçka që ajo ka bërë për të shfaqur përkushtimin e saj ndaj komunitetit Transatlantik. Shqipëria luan një rol qendror në ndihmesën për sigurimin e paqes dhe stabilitetit si pjesë e Aleancës së NATO-s, dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë si një aleate e palëkundur.
Uroj mirëqënie dhe shëndet për popullin shqiptar, ndërsa punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat me të cilat na përballi pandemia COVID-19. ” shkruan Pompeo


