Banorët e “Unazës së Re” po protestojnë këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është dita e 18 e protestës së tyre kundër projektit të “Unazës së Re”, që parashikon prishjen e banesave të tyre.
Ndonëse qeveria njoftoi se banesat do të prishen vetëm pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, banorët e “Unazës së Re” shfaqen ende të revoltuar.Banorët kanë deklaruar se janë të gatshëm të futen me forcë brenda Kuvendit. Ndërkohë, policia ka ngritur kordon sigurie përreth Parlamentit, për të shmangur kurdoherë përplasjet midis qytetarëve dhe deputetëve.
Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama theksoi se do të dëmshpërblehen vetëm banesat me leje, por banorët kundërshtojnë duke deklaruar se janë në proces legalizimi. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, ndërkohë që, përgjatë këtyre 18 ditëve kanë gjetur edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e ‘Unazës së Re’ protestojnë përpara një organi të lartë. Më 15 nëntor, ata protestuan edhe para Bashkisë së Tiranës. Duke hedhur tymuese dhe bomba molotov, ata u përplasën edhe me policinë bashkiake, nga ku mbetën të lënduar 7 efektivë.


