OSBE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me ultimatumin e vendosur për regjistrimin e portaleve on line, ose në të kundërt rrezikojnë mbylljen. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, në një letër drejtuar kryeministrit Rama shprehu sot shqetësimin në lidhje me këtë cështje, ndërsa shkruan se nisma mund të të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias.
“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.
Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.
Në përfundim të letrës për kryeministrin përfaqësuesi i OSBE ofroi edhe asistencën e tij ligjore. Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.


