Etilda Gjonaj nuk e fitoi besimin e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe në mandatin e tretë do të duhet që t’ja lirojë karrigen Ulsi Manjës, ish-kreut të Komisionit të Ligjeve në Parlament.
Megjithatë, Ambasadorja Yuri Kim e vlerësoi punën e Gjonajt, me të cilën pati një takim këtë të martë.
“U takova me Etilda Gjonajn për ta falënderuar për përfundimin e mandatit të saj të jashtëzakonshëm si Ministre e Drejtësisë, personi më jetëgjatë dhe gruaja e parë në këtë pozicion kyç. Ne vërejmë veçanërisht udhëheqjen e saj mbi reformën në drejtësi, e cila me kontributin e saj ka filluar të japë rezultate”, shkruan Kim.
Ambasadorja thotë se SHBA do të vijojë të mbështesë zbatimin e reformës dhe pret që të njëjtën gjë edhe nga aktorët e faktorët e tjerë shqiptarë.
“SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Shpresojmë që të gjithë drejtuesit dhe institucionet e drejtësisë do të vazhdojnë të ecin përpara për të dhënë më shumë rezultate që i shërbejnë popullit të Shqipërisë të plotësojnë standardet e BE dhe të afrojnë Shqipërinë me SHBA”, mbylli reagimin e saj Kim.