Familjarët e adoleshentit qe gjeti vdekjen i qelluar me thike nga nje 17-vjecar vetem pas sherrit per nje “pse me sheh”, dënojnë ashpër ngjarjen e rëndë ku humbi jetën djali i tyre.
Xhaxhai i viktimës, Frrok Gjokazaj, tha se për lajmin e rëndë ishin informuar nga të afërmit e tyre, të cilët e kishin parë në televizor.
“Nuk di çfarë të them. S’ka dhimbje më të madhe se kjo. Na iku djali në kulmin e moshës. Nuk di çfarë ka ndodhur. Dimë çfarë kemi dëgjuar nga televizori. Na thanë se Anxhelo është në spital, pasi ishte plagosur. Rendëm menjëherë në spital.
Nuk na lanë të futeshim ta shikonim djalin, pasi ishte futur në sallën e operacionit. Më pas na thanë mjekët se nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. E kishte goditur tri herë me thikë. Një prej goditjeve i kishte prekur zemrën.
Jemi shumë të tronditur dhe njëkohësisht të pikëlluar. Nuk dimë çfarë të themi. Djali ishte i urtë dhe s’na kishte krijuar kurrë probleme. Kishte shkuar pak minuta me vonesë sot në shkollë dhe zysha e kishte nxjerrë përjashta.
Ai kishte ardhur në lagje dhe ishe konfliktuar me këtë personin, që unë as që e kam idenë se kush është. Asgjë nuk e zvogëlon dhimbjen tonë, por kërkojmë drejtësi. Autori duhet të marrë dënimin e merituar”, është shprehur xhaxhai i viktimës.


