Forcat RENEA kanë zbarkuar në Vlorë pas vrasjes së 42-vjeçarit Shkëlzen Velaj. Autorët ende nuk janë identifikuar, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e tyre.
Pasi kanë kryer vrasjen, autorët të cilët dyshohet se janë 2, kanë djegur makinën dhe janë larguar pa lënë gjurmë. Mësohet se Velajn e kanë kapur 15 plumba në trup.
42-vjeçari i vrarë Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velajt, një prej viktimave të ngjarjes së ndodhur në 7 prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino në Çole të Vlorës mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Ajo ngjarje njihet edhe si “masakra e Çoles”, e që dyshohet se pasoi një sërë atentatesh në qytetin bregdetar. Për hetuesit, një hakmarrje e mundshme është një nga pistat e hetimit të vrasjes së 42-vjeçarit.