Përcillet për në banesën e fundit, me nderime të larta shtetërore në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, heroi Afrim Bunjaku, efektivi i vrarë në Kosovë. Të shumtë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj kanë marrë pjesë në varrimin e të ndjerit, i cili u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Afrim Bunjaku bëri sakrificën më sublime në mbrojte të atdheut, ku dëshmoi se shteti ka nevojë më shumë se kurrë t’i bëhet gardian.
“Teksa po i japim lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, duhet ta sjellim në vëmendje guximin dhe vetëmohimin e tij, të cilin ai e tregoi gjatë gjithë karrierës së tij. Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës. Sepse ai dje e mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, ai mbrojti dinjitetin e shtetit tonë”, -deklaroi Osmani. Edhe kryeministri Albin Kurti u shpreh se rreshter Bunjaku ra si hero për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e vendit.


