Atëherë kur u duk se mazhoranca e kishte lënë në heshtje, u kuptua nga vendimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, se shkarkimi i Presidentit të Republikës, është prioriteti i saj për 2020. Në këtë mënyrë, duket se ajo që Ilir Meta gatoi përgjatë vitit politik 2019, do të shqyrtohet dhe votohet nga Kuvendi I Shqipërisë, përgjatë vitit të ri.
Përveç anullimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, mazhoranca votoi duke e zgjeruar objektin e hetimit edhe me çështjen e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, nga mosdekretimi i Arta Vorpsit si anëtare e re e saj.
Komisioni vendosi që të marë në pyetje për këtë, edhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvorani, i kallëzuar penalisht nga Ilir Meta në Prokurorinë e Tiranës, për ngërçin e krijuar me Kushtetuesen. Përfaqësuesit e mazhorancës i nisën 5 pyetje Komisionit të Venecias, në lidhje me situatën e krijuar pas refuzimit të Presidentit të Republikës, për ta ftuar Arta Vorpsin në ceremoninë e betimit të anëtarëve të rinj të Kushtetueses.
Pas kësaj, edhe Presidenca reagoi duke deklaruar se do të bënte të njëjtën gjë. “Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese,”- tha zëdhënësi i Kreut të Shtetit, Tedi Blushi.
Në javët e para të vitit të ri, pritet që të kemi përgjigjen e Komisionit të Venecias për të dyja palët; si për 5 pyetjet e mazhorancës në Komisionin Hetimor Parlamentar, ashtu edhe për kundërpyetjet e Kreut të Shtetit.
E sigurtë pas kësaj është se mazhoranca qeverisëse, duket se e përcaktoi që tani, një nga prioritetet e saj kryesore politike për vitin 2020. A ajo është pasja në krye të axhendës parlamentare, shkuarjes deri në fund të çështjes së shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës.
Alpenews.al


