Ministria e Kulturës ka reaguar sot për lajmin se UNESCO ka vendosur që lahuta është trashëgimi kulturore e Serbisë, dhe jo shqiptare.
Sipas Ministrisë:
“Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj”
Ministria e Kulturës së Shqipërisë thotë gjithashtu se është “në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik”.
UNESCO e përfshiu këtë instrument në listën përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomatëriale të Njerëzimit për vitin 2018, si pasuri jomateriale e Serbisë.
Përdorimi i lahutës është i gjerë në vendin tone, si në Krujë, në Malësi të Madhe, Hot e Grud, Kelmend, Kastrat, Rranxat e Shkodrës, Dukagjin, Postrribë, Shllak, Nikaj-Mërturi dhe në zonat e Malësisë së Gjakovës.
Referuar studiuesve tanë, këngët e kreshnikëve fillimisht janë kënduar nga shqiptarët, edhe më pas janë bartur nga boshnjakët.