Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) ose e thënë ndryshe shkalla e parë e institucionit që zhvillon procesin e vettingut, për të dërguar për ndjekje penale ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, pavarësisht se ai u tërhoq me vullnetin e tij nga sistemi i drejtësisë, ka ngritur një pikëpyetje tek një pjesë e opinionit publik.
Pyetja që bëhet është:
Pse KPK dërgoi për ndjekje penale Besnik Imerajn dhe nuk çoi përshembull edhe ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të cilët ndërprerja e vettingut ka ndodhur në të njëjtën kohë?!
Pyetja duket me vend po të kemi parasysh se rasti i Besnik Imerajt dhe ish Kryeprokurorit, janë të ngjashëm pasi të dy kanë vepruar në të njejtën mënyrë përballë procesit të vettingut.
Edhe Besnik Imeraj u tërhoq me vullnetin e tij nga sistemi i drejtësisë kur ishte anëtar i Gjykatës Kushetuese, edhe Adriatik Llalla u tërhoq po ashtu vetë nga mundësia që i jep ligji “Për organizimin e Prokurorisë” për tu emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit.
Edhe për Besnik Imerajn Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për këtë shkak vendosi që t’ia ndërpriste vijimin e procesit të vettingut, edhe për Adriatik Llallën dha të njëjtin vendim.
Ambasadori amerikan Lu ka paralajmëruar se tërheqja me vullnet të lirë nga sistemi i drejtësisë është një e drejtë e gjithësecilit, por kjo nuk i shpëton shkelësit dhe abuzesit nga ndjekja penale.
Atëherë përse për Imerajn KPK vendosi që ta zbatojë këtë të drejtë të sajën ligjore dhe për Llallën jo?
Sigurisht që dërgimi i Imerajt për ndjekje penale, mund të ketë ardhur për shkak të parregullsive juridike që mund të jenë gjetur në procesin e verifikimit të pastërtisë së tij profesionale, pasurore dhe personale. Atëherë a do të thotë kjo se për Llallën nuk është gjetur asnjë shkelje që ta detyrojë KPK që ta dërgojë edhe atë si edhe Ymerajn, për ndjekja penale?
Përgjigjet për të gjitha këto pyetje dhe hamendësimeve është e thjeshtë ndoshta, po të kemi parasysh se Prokuroria e Përgjithshme, për Adriatik Llallë ka nisur tashmë zyrtarisht një hetim penal me grup prokurorësh për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Ose e thënë ndryshe për nenin 287 të Kodit Penal Shqiptar, pastrimin e parave të pista.
Një hetim nisur nga denoncimiet me prova dhe fakte të bëra kundër tij nga mediat dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i ndaloi hyrjen 4 anëtarëve më madhorë të familjes Llalla me motivacionin për përfshirjen e tij në raste të mëdha korrupsioni gjatë 5 viteve të ushtrimit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.
JA PERSE PO HETOHET ZYRTARISHT ADRIATIK LLALLA NGA NJE GRUP SPECIAL PROKURORESH:
Neni 287 – Pastrimi i produkteve të veprës penale
(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 8; shtuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 24; ndryshuar shkronja “a” e pikës 1, shfuqizuar shkronja “ç” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 24)
1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:
a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;
c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;
ç) shfuqizuar;
d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.
2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.
3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë.
Përgatiti: Alpenews.al



