Gjatë gjithë karrierës së tij të re, Sinan Bytyqi ka ndjekur ëndrrën për t’u bërë një futbollist profesionist. 22-vjeçari nga kosova i Manchester City-it, në momentin më të bukur, kur po i hapeshin të gjitha dyert e futbollit të niveleve të larta është ndalur nga një problem kardiak që e ka detyruar të tërhiqet përfundimisht. Ai i ka dhënë lamtumirë futbollit të luajtur, por jo botës së futbollit.
Në fakt, City ka vendosur t’i shkojë në ndihmë duke i dhënë mundësinë që të punojë si vëzhgues për klubin anglez.

“Citizens” nuk ka ndërmend ta braktisë Bytyqin dhe, për këtë arsye, përgjegjësi i vëzhguesve të klubit, Fergal Harkin, e ka ftuar atë të mbulojë rolin e vëzhguesit, duke e përfshirë në stafin e tij. Një rast unik për të riun që nuk ka arritur të realizojë plotësisht ëndrrën e tij, por që do të ketë mundësinë të ndihmojë talente të tjerë të rinj ta bëjnë një gjë të tillë.


