Një dëshmi tronditëse ka dalë në dritë pas pritës së armatosur në Dukagjin, ku mbetën të vrarë babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni.
Lazër Bashi, i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje, ka treguar para grupit hetimor momentet e sulmit dhe mënyrën se si arriti të mbijetojë. Ai ka deklaruar se ndodhej rastësisht në automjet me viktimat dhe ishte ulur në pjesën e pasme të fuoristradës kur autorët hapën zjarr me breshëri, duke përdorur dy armë.
Mes dhjetëra plumbave, Bashi është shtrirë në automjet për t’u mbrojtur, por një plumb e ka goditur në shpatull.
Pas largimit të autorëve, ai ka pritur disa minuta dhe më pas ka dalë nga automjeti. Me telefonin me vete dhe i plagosur, duke humbur gjak, ai ka ecur për rreth 40 minuta, në një distancë prej afro dy kilometrash, deri sa ka mbërritur pranë një lokali në kryqëzimin e rrugës së Pultit me atë të Shoshit, ku kishte sinjal telefonik.
Më pas, i plagosuri ka ndaluar pranë një çezme, ku ka pastruar gjakun nga plaga, ndërsa ka pritur transportin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut dhe nevojës për trajtim të specializuar, Bashi është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të sulmit. Deri tani nuk ka një person të dyshuar të identifikuar, ndërsa disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse Prelë dhe Lekë Gjoni kishin ndonjë konflikt të mundshëm. Të dy nuk njiheshin si persona problematikë. Lekë Gjoni punonte me kamion, duke transportuar materiale ndërtimi, ndërsa kishte edhe një eskavator në zonën e Dukagjinit.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.


