Në një kohë që anëtari i kryesisë së PD Fatbardh Kadilli ka nisur fushatën për tu bërë drejtues i PD duke thënë se sipas tij të gjithë janë rraskapitur nga kryedemokrati Basha, ky i fundit i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë në turin e tij të takimeve në Lezhë, qyteti i dytë pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.
Basha tha se regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast derisa vala e ndryshimit që kanë ngritur së bashku ta përmbysë.
Duke pranuar kritikat dhe duke theksuar se do të ketë zgjedhje në PD për kryetarin e kësaj partie, Basha tha se kush është i lodhur nga beteja kundër Ramës dhe Doshit, sipas tij ka hequr dorë nga Shqipëria.
“Natyrisht miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën dhe lirinë e vetë për shprehjen e mendimit, ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e vetes dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime. Por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt.
Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjithë kritikat konstruktivë, idetë dhe konceptet teksa bëhemi gati që mbi 680 mijë shqiptarë që na besuan në valën tonë të ndryshimit t’i udhëheqim në vazhdimin e kësaj beteje deri në fund.
Ju e keni patur dhe shumë shpejt do ta keni përsëri të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit tuaj me votë, por tani e gjithë vëmendja jonë duhet të jetë tek mobilizimi i çdo energjie të demokratëve, të mbështetësve tanë të atyre që na besuan pavarësisht nëse janë apo jo votues tanë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara. Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim.
Kush është i lodhur nga kjo betejë ka hequr dorë nga Shqipëria, ka hequr dorë nga demokracia, është kthyer vetvetiu në një skllav të Edi Ramës, Tom Doshit, Arben Ndokës me shokë. Kush është lodhur nga kjo betejë është dorëzuar dhe pranon që fatin e familjes së vet, fatin e fëmijëve të vet t’ia dorëzojë atyre të cilët në familjen tonë nuk do t’i qasnim kurrë. Përfundimi i kësaj beteje është i pashmangshëm dhe fundi i regjimit Rama-Doshi, është fitorja e Shqipërisë”, tha Basha.