Gazetari amerikan Terry Anderson, i cili u mbajt peng për gati 7 vite gjatë luftës civile në Liban, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Anderson ishte korrespondenti kryesor për Lindjen e Mesme për Associated Press kur u kap nga militantët islamikë në vitin 1985 gjatë asaj që u bë e njohur si kriza e pengjeve në Liban. Mësohet se ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Greenwood Lake, Nju Jork, të dielën. Lajmi u konfirmua nga vajza e tij.
“Asnjëherë nuk i pëlqente të quhej hero, diçka që të gjithë këmbëngulën ta quanin. Megjithëse jeta e babait tim u karakterizua nga vuajtje ekstreme gjatë kohës së tij si peng në robëri, ai gjeti një paqe të qetë dhe të rehatshme vitet e fundit”, tha ajo. Louis Boccardi, i cili drejtonte Associated Press gjatë robërisë së Anderson, ishte ndër ata që e kujtuan atë si një “hero”.
Anderson u rrëmbye në Bejrut më 16 mars 1985. Ai sapo kishte mbaruar së luajturi tenis kur persona të armatosur e tërhoqën zvarrë në një makinë dhe u larguan me shpejtësi. Gazetari do t’i kalonte gjashtë vitet e nëntë muajt e ardhshëm i bllokuar në qeli nëntokësore, i lidhur me zinxhirë dhe me sy të lidhur për pjesën më të madhe të kohës, si një nga më shumë se 100 personat e ndaluar në Liban. Motra e tij Peggy Say, e cila vdiq në vitin 2015, mbrojti ashpër lirimin e vëllait të saj dhe shokëve të tij robër.