Shqiptari Albert Bako, i cili mbeti i vrarë dje në ambientet e burgut të Koridhalosë dyshohet se është eliminuar nga bashkatdhetarët e tij. Kjo për faktin që të mos spiunojë bashkëpunëtorët e tij. Të paktën, kjo është ajo që shkruhet në mediat greke.
Shqiptari u transferua një ditë më parë në burgun e Koridhalosë, në pritje të procesit gjyqësore për vrasjen e Zafiropoulos dhe krimeve të tjera. Viktima u la në një qeli, ku kishte edhe të tjerë shqiptarë dhe pikërisht aty ka pasur një përleshje.
Vrasja ka qenë e mirëorganizuar sepse vrasësi posedonte edhe një thikë të improvizuar. Ai e ka qëlluar Bakon disa herë, duke i shkaktuar hemorragji të shumta. Për pasojë, shqiptari gjeti vdekjen disa orë pas sulmit të përgjakshëm. Thuajse, të gjitha goditjet ishin në qafë dhe në kokë
Mediat fqinje pretendojnë se Bako është eliminuar për të mos u marrë në pyetje nga ana e hetuesve në lidhje me vrasjen e kryer. Ndërkohë që nesër ai pritej që të dilte përpara bankës së të akuzuarve. Nëse shqiptari do të fliste, atëherë telashet për bashkëpunëtorët dhe porositësit e vrasjes do të dilnin në sipërfaqe.


