Thellohet përplasja mes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që mbikëqyr procesin e Vetingut dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në harkun kohor të tre ditëve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është shprehur kundër katër vendime të KPK, për konfirmimin në detyrë të tre gjyqtarëve dhe një prokurori.
Pas kontestimit të vendimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin Artur Malaj dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin, ONM konteston edhe vendimet e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medjas dhe prokurorit Gentian Osmanit. Ndryshe nga trupat gjykuese të KPK, përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët kanë tagër ligjor për të bërë hetime paralele, të pavarura dhe të theluara për gjyqtarët dhe prokurorë, të katër këto subjekte duhet të shkarkohen nga detyra.
Komisioni i Vetingut, pavarësisht disa konstatimeve serioze gjatë hetimit të thelluar, ka vendosur që të konfirmojë në detyrë të katër subjektet. Për asnjërin prej tyre nuk është zbardhur ende vendimi i arsyetuar. Gjithsesi, kundërmimi i ONM tregon për një përplasje të fortë mes anëtarëve dhe Vetingut dhe përfaqësuesve ndërkombëtar gjatë diskutimeve për vendimmarrjen për secilin gjyqtarë dhe prokurorët. Gjithsesi, fjalën e fundit për tre gjyqtarët dhe prokurorët do ta thotë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili ose konfirmon ose hedh poshtë vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ankesa për Gentian Medjan
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka njoftuar dje se i ka kërkuar dje Komisionerit Publik që të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medja. “Në datë 1.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë, dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja.
Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar”, thuhet në njoftim.
Ankesa për Gentian Osmanin
Po gjatë ditës së djeshme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka njoftuar se i ka kërkuar dje Komisionerit Publik që të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Gentian Osmani.
Në datë 2.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar.