Spitali i tretë COVID-it në Shqipëri është spitali i burgut në QSUT. Report Tv mëson se prej dy ditësh në këtë spital janë karantinuar 18 të prekur nga vatra e burgut 313-të në Tiranë. Një burim i tha Report Tv se të gjithë të shtruarit në spitalin e burgut janë të paraburgosur, ndërsa nga ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve ende nuk ka asnjë sqarim nëse janë të gjithë të paraburgosur, gardianë apo mjekë duke mbajtur gjithçka në terr.
Të shtruarit në këtë spital janë të gjithë në dhoma të veçanta të karantinuar dhe nën monitorimin e mjekëve, teksa gjendja e tyre është e mirë. Ata janë transportuar nga 313-ta në spitalin e burgut gjatë ditës së djeshme dhe paraditen e sotme. Në spitalin e burgut janë 31 shtretër në total, pra deri tani ka kapacitet nëse do të ketë raste të tjera. Në hyrje të këtij spitalit të burgut që ndodhet në QSUT është vendosur një njoftim që me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-it njoftohen familjarët e të dënuarve, që takimet do të ndërpriten. Ata që do të futen do të ndjekin procedurat përkatëse. Por si lindi vatra e të infektuarve te 313-ta në Tiranë. Një italian i dënuar i arrestuar në Durrës si pjesë e organizatave mafioze, ishte i pari i identifikuar me COVID.
Sipas informacioneve te sigurta qytetari italian nuk ka pasur asnje kontakt me njerez nga jashtë burgut që nga data 4 mars dhe vizitat zyrtare janë pezulluar që nga data 11 për të gjithë. Nuk dihet ende se cila pjesë e stafit, apo i burgosur tjetër i arrestuar më pas, ka përcjellë virusin brenda ambienteve të burgut ndoshta edhe pa shfaqur simptomat. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, pas identifikimit të të burgosurit italian me Covid 19, janë testuar 30 të dënuar të tjerë që për arsye të ndryshme kanë pasur kontakt më të brenda burgut, 13 prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë.