UPDATE/ Hysni Rama është personi i vënë në pranga për vrasjen e Kejsi Hysës.
Detaje të reja mësohen lidhur me motivet e ekzekutimit të laçianit Kejsi Hysës (i njohur edhe me emrat Eljon dhe Sahit), i cili u gjet i vrarë dhe i groposur këtë të shtunë pranë varrezave të fshatit Shelqet, Komuna Nikel, në Fushë-Krujë.
Burime pranë grupit hetimor thanë se pista kryesore se përse dyshohet se është ekzekutuar 34-vjeçari janë borxhet. Më konkretisht, ai dyshohet se u kishte para borxh personave të dyshuar për ekzekutimin e tij.
Një person është ndaluar nga policia e Krujës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim policor për vrasjen.
“Grupi hetimor ka bllokuar një sërë provash materiale”, njoftoi zyrtarisht Policia.
Ndërsa burime policore saktësuan se pranë vendit ku i gjet i groposur trupi i 34-vjeçarit janë gjetur dy armë zjarri, një pushkë dhe një pistoletë. Nga këqyrja paraprake e kufomës, Hysa është qëlluar me një plumb në kokë.
Kush është i arrestuari:
Policia në kohë rekord, bëri të mundur shoqërimin e dy personave të shoqëruar me inicialet A.T dhe Hysni Ramaj Ky i fundit dyshohet si vrasësi kryesor pasi ishte personi i fundit që kishte kontaktuar me viktimën, detaj i zbuluar nga tabulatet e telefonit.
Hysni Ramaj është pronari i një mobilierie dhe mësohet se kishte lënë një takim me Elion Hysan por sipas tij nuk kishin mundur të takoheshin.


