Një 47-vjeçar nga Gjirokastra është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në Athinë. Viktima është Artur Bashimi, person me precedentë penalë për vjedhje.
Viktima u qëllua me armë në rrugën “Mihail Boda 200” në lagjen “Agio Pantaleimona”. Burime paraprake bëjnë me dije se viktima ka plagë me armë zjarri në kokë. Forca të shumta të policisë greke kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të saj.
Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022, si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik. Ai është arrestuar sërish më pas në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi.
Artur Bashimi rezulton të jetë vëllai i 38-vjecarit Marsel Bashimi alias Marsel Shkurtaj alias Marsel Gozhita, person me precedentë të rëndë penalë në Greqi e Shqipëri.
Marsel Bashimi në korrik 2022 u arrestua bashkë me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, si autorë të një ngjarjeje të rëndë me përdorim armësh në Greqi. Jambelli e Leci akuzohen në Shqipëri si autorë të vrasjes së Komisar Artan Cukut.
Ngjarja ku Bashimi bashkëpunoi me Jambellin e Lecin:
Pasditen e 22 janarit 2022, banditi shqiptar me 13 mbiemra dhe 10 emra, 42-vjeçari Bledar Jambelli, 35-vjeçari shqiptar me tre mbiemra, Marsel Bashimi, dhe 34-vjeçari shqiptar me tre mbiemra, Kristaq Leci, dhe dy persona të panjohur, i janë bashkuar një grupi, me qëllim që të takoheshin me dy shqiptarë në furrën në Vuola, ndoshta për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre financiare.
Dy shqiptarëve u janë afruar tre shqiptarët e tjerë të armatosur, grupi i Jambellit, dhe dy presona të tjerë të panjohur, duke përdorur një makinë taksi, tip Mercedes, dhe një makinë, tip Hyundai të kuqe model “i30”. Ata kanë parkuar makinat pranë furrës dhe të gjithë kanë hipur në taksinë, me të cilën kanë mbërritur në pikën e takimit me dy shqiptarët dhe kanë zbritur. Të gjithë shqiptarët janë ulur në kafenenë e Vuolës, në një tavolinë jashtë, ku kanë biseduar për arsyen e takimit. Dy personat e panjohur, që shoqëronin të akuzuarit, pas një gjesti të një shqiptari, janë afruar shumë me njëri-tjetrin, duke marrë masa të dukshme sigurie. Menjëherë, është afruar grupi mbështetës prej gjashtë grekësh e shqiptarësh, i cili ka qëndruar jashtë furrës.
Në orën 17:30, 34-vjeçari shqiptar ka goditur me grusht kundërshtarin e tij shqiptar. Më pas, viktima, duke kuptuar se dy të pandehurit shqiptarë ishin të armatosur, ka ndërhyrë dhe ka tentuar të ndalojë 34-vjeçarin Leci, duke e përqafuar, por ky i fundit i është larguar dhe ka filluar ta sulmojë, duke e goditur me thikë. Në atë moment, dy sulmuesit e panjohur janë afruar dhe për të marrë pjesë në sulm, ku të dy kishin në duar shufra dhe sende të tjera. Menjëherë, ka ndërhyrë grupi mbështetës i grekëve dhe shqiptarëve, të cilët kanë goditur me grusht personin e panjohur, që kishte në dorë shufrën. Më pas, Leci ka qëlluar me armë një shqiptar, duke bërë që ky i fundit të bjerë në tokë i plagosur.
Nga të shtënat, 34-vjeçarit Leci, një shqiptar mbeti i plagosur në kokë, i cili u fut menjëherë brenda në dyqan për t’u fshehur. Ndërkohë, 34-vjeçari ka vazhduar të godasë me thikë viktimën dhe më pas ka goditur disa herë me thikë edhe shqiptarin e dytë, që ishte shtrirë në tokë. Kjo u pasua nga një përleshje e ashpër me grupin mbështetës të viktimës, të cilët ndërhynë dhe hodhën karrige në drejtim të 34-vjeçarit shqiptar, i cili, siç mësohet, “ka goditur vazhdimisht me thikë kundërstarin e tij bashkëkombas”.
I plagosuri është larguar nga vendngjarja, ndërsa shoku i tij ka qëndruar në vend, ku është qëlluar me armë zjarri nga dy shqiptarët. Pas skenës së përgjakshme, dy shqiptarët hipën në një taksi dhe u larguan, ndërsa tjetri u arratis në këmbë, bashkë me dy autorët e panjohur. Pas arratisjes së tre shqiptarëve dhe dy të tjerëve, njëri prej të plagosurve është rikthyer në vendin e ngjarjes, ku ishte i shtrirë dhe i përgjakur shoku i tij, por në të njëjtën kohë aty janë rikthyer edhe dy të pandehurit shqiptarë, ku njëri ka qëlluar sërish shqiptarin, duke e plagosur në bark. Ai është rrëzuar menjëherë përtokë, por më pas ka arritur të largohet.
Hapja e bisedave telefonike ka zbuluar profilin e 34-vjeçarit shqiptar, i cili, siç thuhet në dosje, “ka zhvilluar një bisedë telefonike me një bashkëatdhetar, ku ndër të tjera, i pari ka thënë se një person i panjohur kishte për qëllim t’i zhvasë 5 mijë euro dhe se në të kundërt do ta godiste me thikë”. Do ta godas me thikë më vonë”-është një nga bisedat telefonike.


