Pasuritë e një të dënuari në Itali për trafik të lëndëve narkotike janë vënë nën sekuestro nga ana e Gjykatës së Durrësit. Janë 11 pasuri në pronësi të shtetasit Klejdi Abdyli dhe familjarëve të tij që janë vënë nën sekuestro.
Gjykata e Durrësit ka marrë vendim më 18 shtator, vendim i cili është ekzekutuar gjatë së premtes. Pasuritë e sekuestruara përfshinë gjashtë apartamente, një garazh, tri automjete, si dhe tri llogari bankare.
“Është ngarkuar me ekzekutimin e këtij vendimi, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrave Durrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrave Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe banka ‘Raiffeisen Bank’”, thuhet në njoftim.
KUSH ËSHTË KLEJDI ABDYLI
Klejdi Abdyli u arrestua nga policia shqiptare në muajin maj të vitit 2019, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ai akuzohej si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikun e kokainës në rrethet Rancitelli dhe San Donato të Pescara.
Mediat italiane shkruanin në atë kohë se Abdyli, ishte njeri i njohur për policinë lokale në Pescara për shkak të precedentëve penalë. Roli dhe rëndësia e Abdylit në shitjen e kokainës në rajon kishte dalë në pah gjatë një operacioni të kryer nga karabinierët.
Pasi u sekuestruan 1 kilogram e 200 gramë kokainë e pastërtisë së lartë dhe u lëshuan 11 urdhër-arreste në janar të vitit 18, kryesisht të komunitetit rom, Abdyli kishte arritur të largohej nga shteti italian.
Hetimi i kryer nga karabinierët kishte bërë të mundur arrestimin e 18 personave në total me sekuestrimin e rreth 2 kilogramëve lëndë narkotike e llojit kokainë me destinacion sheshet e tregtisë në Rancitelli dhe San Donato.
Pasuritë e sekuestruara:
•Garazhd me sipërfaqe 160.91 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
•Apartament me sipërfaqe 73.68 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
•Apartament me sipërfaqe 58.36 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
•Apartament me sipërfaqe 73.68 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
•Apartament me sipërfaqe 59.61 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
•Apartament me sipërfaqe 114.5 m2, ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit I.A dhe E.A;
•Apartament me sipërfaqe 69.92 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetases E.A;
•Automjet me targa AA____, në pronësi të shtetasit K.A;
•Automjet me targa AA____, në pronësi të shtetasit K.A;
•Motomjet me targa AY____, në pronësi të shtetasit K.A;
•Automjet me targa AA____, në pronësi të shtetases Sh.A;
•Llogarinë në X, me valutë në Euro, në emër të shtetasit I.A;
•Llogarinë në X, me valutë në Euro, në emër të shtetasit I.N. A.
•Llogarinë në X, me valutë në Euro, në emër të shtetasit I.N. A.
2. Është ngarkuar me ekzekutimin e ketij vendimi, Drejtoria Vendore e Agjensisë
Shtetërore të Kadastrave Durrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrave Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, X dhe banka X.


