Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla u dënua me 1 vit burg nga Apeli i GJKKO, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Po ashtu, Memolla nuk duhet të ushtrojë funksione publike për 5 vite. Ai akuzohet për korrupsion zgjedhor.
Menjëherë pas këtij vendimi, SPAK pritet të bëjë urdhër ekzekutimin, për ta vënë në pranga kryebashkiakun socialist.
Bashkia e Rrogozhinës do të mbetet pa kryetar, çka do të sjellë zgjedhje të parakohshme.
Me 1 vit burg është dënuar edhe i pandehuri Blerim Xhamani, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, si edhe Ndriçim Tafgjata, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Ndërsa Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, u dënua me 8 muaj burg, dënim që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.


