Struktura e Antiterrorit në policinë e shtetit e ka ndjekur të gjithë procedurën deri në ngritjen e avionit me dy iranianët brenda, pasi sipas informacioneve nga shërbimet partnere, dy diplomatët që u dënuan mund të mos respektonin urdhrin e dëbimit. Nga hetimet e shërbimit informativ shqiptar dhe Antiterrorit rezultoi se dy iranianët edhe pse me status diplomati kryenin veprimtari agjenturore duke ngritur grupe pune për të marrë informacione sekrete duke shkelur lignin. Vendimi u mor nga qeveria shqiptare tre ditë më parë, ndërsa u përshëndet edhe nga SHBA-ja.
Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Po ashtu u dëbua dhe u shpall “non grata” edhe një diplomat tjetër i ambasadës iraniane, Mostafa Roudaki. Ish-ambasadori akuzohej edhe nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë, si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria agjenturore e Iranit në Shqipëri. Në Shqipëri janë strehuar mbi 3 mijë muxhahedinë iranianë (opozita), që janë shpallur terroristë nga regjimi i Teheranit.



