Turqia reagon ashper pas asaj qe ndodhi ne Gaza, gjate ceremonine per perurimin e mabasades se SHBA. Zëdhënësi i qeverisë turke dhe zëvendëskryeministri Bekir Bozdağ në lidhje me martirizimin e palestinezëve në Gaza tha se “Kjo tregoi se edhe SHBA është e përlyer me gjakun e palestinezëve”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kjo dite o të shënohet në histori si e hëna e përgjakshme. Do të shënohet në histori si dita e hënë e zisë për sa i përket vendeve muslimane dhe islame”, tha Bozdağ në një deklaratë pas mbledhjes së këshillit të ministrave.
Duke theksuar se statusi shpirtëror dhe akti historik i Kudsit nuk do të ndryshojë kurrë, Bozdağ deklaroi: “Kudsi do të vazhdojë të jetë kryeqyteti i një shteti të pavarur palestinez, siç ka qenë që në kohët shkuara. Ne, ashtu sikurse deri më sot, edhe tutje do të vazhdojmë të jemi një mbrojtës i palëkundur i kauzëz së Palestinës”.
“Statusi, historia, akti historik i Kudsit janë nën garancinë e komunitetit ndërkombëtar. Rezolutat e OKB-së dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë nën garancinë e ligjit. Por, fatkeqësisht, këto garanci sot janë shkelur, madje edhe nga SHBA, e cila ka vendosur nënshkrimin e saj nën këto garanci. Ne si Turqi nuk e pranojmë këtë hap të hedhur”, u shprehu Bozdağ.
Më tej, Bozdağ tha se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) duhet të kalojë në veprim.
“KS-OKB duhet të kalojë menjëherë në veprim. Turqia ka një qasje pozitive ndaj thirrjeve të bëra në këtë drejtim nga Kuvajti dhe Palestina dhe po ashtu është mbështetës që këto thirrje të kthehen në një rezultat pozitiv. Gjithashtu, edhe vendet islame duhet të bëhen një përballë këtij hapi të padrejtë dhe duhet të veprojnë së bashku”, tha zëvendëskryeministri turk.
“Pa dyshim, shteti i Izraelit është përgjegjësi i vërtetë i masakrave të sotme, por edhe SHBA janë një tjetër vend përgjegjës po aq sa Izraeli për këto masakra”, potencoi Bozdağ.
Ndër të tjera, Bozdağ njoftoi se Turqia ka vendosur të shpallë tri ditë zie me qëllim për t’u solidarizuar me palestinezët dhe për të përkujtuar me nderim dëshmorët e rënë, duke shtuar se vendi i tij gjithashtu ka vendosur të thërrasë në një takim të jashtëzakonshëm Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI).
Reagimi i Erdogan
Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit paraqet një kërcënim për paqen në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
I ftuar në emisionin e BBC-së, “Hard Talk“, Erdoğan komentoi zhvillimet aktuale të cilat kanë të bëjnë me situatën rajonale dhe globale.
Erdoğan e vlerësoi të gabuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja ndërkombëtare me Iranin, pasi siç tha, marrëveshja është dakorduar dhe nënshkruar, dhe si e tillë duhet të ruhet në frymën e standardeve ndërkombëtare mbi respektimin e saj.
I pyetur për një garë të mundshme për armatosje në rajon, presidenti turk tha se SHBA-të tashmë po bëjnë këtë garë, meqë në Siri kanë dërguar 5.000 maunë dhe 2.000 avionë kargo me armatim.
“Mendoj se veprimi i ish-presidentit amerikan, Barack Obama, me Iranin ishte pozitiv. Ishte një hap drejt paqes, por kjo paqe tashmë është vënë në rrezik dhe fillon procesi i problemeve të reja në rajon. Jemi të shqetësuar për një veprim të tillë, të cilin nuk e mbështesim, as që e llogarisim të drejtë”, tha Erdoğan.
Presidenti i Turqisë ka komentuar edhe tensionet e reja mes Iranit dhe Izraelit, për çka tha se nevojitet një proces i ri për paqe, në të kundërtën siç tha, Lindja e Mesme do të mund të kaplohet nga kaosi.
“E llogaris jo të plotë pyetjen nëse jam i shqetësuar se situata mund të dalë jashtë kontrollit. Izraeli tashmë ka shkrepur mbi 50 raketa në Siri. Nuk është gjë tjetër veç një provokim dhe nxitje për luftë. Izraeli kryen terror të vazhdueshëm në rajon”, tha Erdoğan.
Ai shtoi më tej se Izraeli pretendon se cak i sulmeve të tij janë pozitat e forcave iraniane, por ky është një pohim i njëanshëm meqë Irani përgënjeshtron këto pohime.
Erdoğan i bëri thirrje Perëndimit të rishqyrtojë qëndrimet dhe aktivitetet e veta lidhur me krizën siriane, duke shprehur shqetësimin për lindjen e problemeve të reja.
Turqia me Rusinë dhe Iranin udhëheq në Astana të Kazakistanit bisedimet e paqes për Sirinë, ndonëse Moska dhe Teherani janë aleatët më të mëdhenj të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.
“Unë akoma jam një kundërshtar i Bashar al-Asadit, nuk përkrah regjimin e tij, mirëpo me Rusinë dhe Iranin, në themele të trilaterizmit jemi duke ndërmarrë hapa drejt paqes për popullin sirian”, tha Erdoğan, duke shtuar se do të bashkëpunonte edhe me fuqitë perëndimore sikur të kishte një vullnet në anën tjetër.
Presidenti turk në emisionin e BBC-së foli edhe për vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër degës së organizatës terroriste të PKK në Siri, ku tha se Turqia nuk ka problem me kurdët si një komb, por vetëm me terroristët e PYD dhe YPG-së.
“Nuk do të lejojmë që terroristët të krijojnë një korridor në veri të Sirisë. Ne luftuam në Jarabulus, pastaj në Afrin, dhe këtë luftë do ta vazhdojmë”, tha Erdoğan.
Erdoğan është pyetur të komentojë edhe zgjedhjet e parakohshme në Turqi, të cilat janë shpallur për më 24 qershor. Ai tha se Turqia është një shtet i së drejtës, dhe në korniza të kësaj mbahen proceset.
“Zgjedhjet në Turqi janë të lira, dhe do t’i vëzhgojnë një sërë delegacionesh të huaja, përfshirë OBSE. Rezultatet do të tregojnë fituesin, dhe këtë duhet të gjithë ta respektojnë. Nëse ne fitojmë sërish, kjo do të duhet të respektohet nga të tjerët, dhe këtë do ta bëjmë edhe ne, duke respektuar vullnetin e popullit nëse tjetërkush fiton”, përfundoi Erdoğan.


