Turizmi është një ndër sektorë mjaft i fuqishëm në vendin tonë, i cili ndikon shumë dhe në ekonominë e vendit. Shqipëria është një vend i cili preferohet shumë nga turistët e huaj, numri i të cilëve rritet nga viti në vit.
Dhe jo më kot madje, pasi vendi ynë mund të quhet një “minierë” e pasurive natyrore. Madje edhe National Geographic e ka përfshirë Shqipërinë mes destinacioneve më të mira të vitit 2018. Po ashtu, shoqata ATTA (Shoqata e Tregtisë së Aventurave të Udhëtimit) e ka përfshirë Shqipërinë si një nga destinacionet kryesore të udhëtimit të aventurave për 2017 së bashku me Kubën dhe Portugalinë. Ndërsa transmetuesi publik francez France 2 e ka quajtur Shqipërinë si “Perla e Ballkanit”.
Po përse duhet zgjedhur Shqipëria dhe cilat janë avantazhet e këtij sektori?
Avantazhet e këtij sektori janë të shumta. Fillimisht nisemi që nga pozita e favorshme dhe e përshtatshme gjeografike, me daljen e gjerë në dy detet, Adriatik dhe Jon. Po ashtu në Shqipëri gjendet forma të shumëllojëshme të relievit dhe peisazhe mjaft të bukura.
Klima mjaft e përshtatshme është një tjetër faktor që tërheq mjaftë turistë. Me një verë të nxehtë për të shijuar pushimet e verës, e një dimër të ftohtë, tipik për të apasionuarit pas turizmit malor.
Po ashtu dhe trashëgimia kulturore është mjaft e pasur në vendin tonë, ku turistët mund të vizitojnë kalatë e ndryshme, bunkeret e komunizmit, qytetin e Butrinit apo të Gjirokastrës etj.
Nuk duhet lënë pa përmendur edhe pasuritë e shumta ujore (detet, liqenet, lumenjtë), apo botën e pasur bimore dhe shtazore.
Turistët vetë e quajnë “një dashuri e re mesdhetare” dhe “sekreti i fundit i Europës”.
Edhe statistikat flasin se turizmi është një sektor gjithnjë e në rritje.
Tabela me statistikat e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, me përjashtim të vitit 2013, i cili ka një rënie të numrit, vitet tjera deri në 2017 vijnë në rritje.
/AlpeNews.al



