Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, nga Londra ka deklaruar se po përpiqen që të zgjidhin problemet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Deklaratat i bëri në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në kryeqytetin britanik, si pjesë e Procesit të Berlinit, raportojnë mediat greke.
Teksa ka prekur sfidat e Ballkanit dhe kontinentit të vjetër, kryeministri grek tha se gjërat po ndryshojnë.
“Periudha që kemi kaluar ishte jashtëzakonisht e vështirë për Ballkanin,” vuri në dukje, duke kujtuar se në 2014-ën, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker njoftoi ngrirjen e zgjerimit.
“Evropa përjetoi përtej krizës ekonomike, krizën më të keqe të refugjatëve pas luftës, e cila u përqendrua në rajon… Ne kemi përjetuar një përpjekje të tmerrshme të grushtit të shtetit në Turqi, si dhe krizat në Shqipëri dhe Maqedoni”.
“Gjërat po ndryshojnë tani. Me Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshja Bullgari- FYROM (Maqedoni), me përpjekjet për të zgjidhur çështjet midis Greqisë dhe Shqipërisë, me presidencën e suksesshme bullgare të BE dhe ringjalljen e Axhendës së Selanikut për zgjerimin e BE”,shtoi kreu i qeverisë greke.


