Të shtëna me armë janë regjistruar sot në Tropojë, teksa raportohet se një person ka ndërruar jetë.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një lokal në fshatin Dojan, ku një 35-vjeçar ka qëlluar drejt një 43-vjeçari, pas një konflikti mes tyre për motive të dobëta. 43-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, teksa autori ia ka mbathur. Nuk dihet edne shkaku i konfliktit mes tyre që shkoi deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:40, në një lokal në fshatin Dojan, dyshohet se shtetasi F. M., rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. D., rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.
Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.


