Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në një kolegj të arsimit të lartë në Varshavë, Poloni, të shtunën, më 10 tetor. Ky është incidenti i tretë me thikë i regjistruar në vend brenda pak ditësh, duke shtuar shqetësimin për sigurinë në institucionet arsimore.
Sipas agjencisë Reuters, autori i dyshuar është një student 21-vjeçar, i cili dyshohet se sulmoi persona me të cilët nuk kishte njohje të mëparshme.
Zëdhënësi i policisë, Jakub Filipiak, bëri të ditur se autoritetet morën njoftimin për incidentin rreth orës 12:30.
“Një person u plagos dhe u dërgua në spital me lëndime jo kërcënuese për jetën. Dy kalimtarë të tjerë u plagosën gjithashtu, por nuk patën nevojë për trajtim spitalor”, deklaroi ai.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve PAP, të plagosurit janë dy vajza 17-vjeçare dhe një grua 24-vjeçare, të cilat kishin shkuar në institucion për të dorëzuar dokumentet e regjistrimit.
Ngjarja vjen pas dy sulmeve të tjera të rënda në institucionet arsimore polake. Për të qetësuar nxënësit dhe për të parandaluar incidente të mundshme, mijëra efektivë policie u angazhuan të premten në kontrolle në shkolla në të gjithë vendin.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, që nga e premtja, janë kontrolluar rreth 50 mijë ambiente dhe janë arrestuar 76 persona. Sipas raportimeve, shumica e të arrestuarve dyshohet se janë adoleshentë që kishin publikuar kërcënime në internet.


