Policia ka dhënë detaje rreth shpërthimit të një shtylle tensioni në zonën e Thumanës në Fushë Krujë, lajm i bërë fillimisht i ditur nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali
“Sot në mesditë, punonjësit e OST, pranë fshatit Krastë, Thumanë, konstatuan se njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë (400 KË), Nr. 65, e linjave Tiranë–Podgoricë dhe Tiranë-Prizren ishte dëmtuar me lëndë, të dyshuar eksplozive”, sqaron policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Më herët, Spiropali teksa bëri me dije lajmin, akuzoi Partinë Demokratike se qëndron pas këtyre akteve.
“Vesi del me shpirtin! Goditet me tritol linja e transmetimit 400 KË në Laç dhe pas 30 vjetësh kapituj sherresh e rrëmujash të nxitura nga e njëjta dorë, dihet kush u bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit! E keni kot, hidhuni përpjetë sa të doni, këtë vend mbrapa dot s’e ktheni”, theksoi Spiropali.


