Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ndodhet aktualisht në Lezhë pas vizitës së tij në Shkodër.
Sipas informacioneve paraprake, vizita në Shkodër lidhet me hetimet për krimet zgjedhore. Ndërkohë e njëjta arsye ka në fokus vizitën pasuese në Lezhë, ku burimet citojnë se Dumani do të zhvillojë takime në Prokurorinë e Lezhës në lidhje me ecurinë e hetimeve për krime të mundshme zgjedhore.
SPAK bëri me dije sot se janë administruar 123 materiale kallëzuese, ku 35 prej tyre kanë kaluar në fazën e hetimit.
Në lidhje me 35 procedimet, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK. Vetëm 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. Dy të tjera kanë nisur nga kallëzimet e subjekteve politike dhe dy të fundit janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.


