Shqipëria do të ketë tren ekspres dhe tren lokal, një nga format më efikase të transportit publik përdorur në të gjithë botën por lënë në harrese në vendin tonë prej 60 viteve. Ministria e Infrastukturës po punon me projektin që parashikon rehabilitim të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas me një financim në total 90 mln dollarë, 35 mln euro janë grante nga BERZH.
Treni ekspres dhe tren lokal, do të lidhin Tiranën me Durrësin dhe Tiranën me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Është ky projekti më i rëndësishëm në infrastrukturën hekurudhore me një investim prej 90 mln dollarë, financimi më i madh për këtë sektor në Shqipëri.
Shqipëria fitoi besimin e BERZH, që përmes një granti prej 35 mln euro të financojë këtë projekt dhe ky do të jetë itinerari i trenit.
Udhëtimi me tren nuk është më çështje nostalgjike e një hekurudhe tashmë në gjendje të mjeruar, por mënyra e transportit të së ardhmes, efikase në vendet më të zhvilluara për të shmangur trafikun.
Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës thonë se në Durrës do të shkohet në pak minuta, ndërsa Tiranë- Rinas në vetëm 15 minuta me çmime të përballueshme.
Thimjo Plaku: Trenat ekspres që shkojnë në aeroportin e Rinasit për 15 minuta, po kështu linja Tiranë-Durrës do të mbulohet në një periudhë kohore prej 20-25 minutash për trenat ekspres, në kuptimin e trenave që nuk ndalojnë nëpër stacione por vetëm në stacione fundore. Por sigurisht që do të ketë edhe trena të tjerë që do të ndalojnë nëpër të gjithë stacionet e zonës.
Thimjo Plaku, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Transportit thotë se treni Tiranë-Durrës do të ketë stacionin pranë mbikalimit të Kamzës, aty ku Bashkia ka ndërtuar stacionin multimodal.
Ndërsa në ai i Rinasit do të marrë pasagjerët në bulevardin e ri. Pra treni do të rikthehet në stacionin e tij, 250 m larg parkimit të sotëm nëntokësor.
Thimjo Plaku: Stacioni i trenit të pasagjerëve do të vendoset në fillim të bulevardit, në dalje të parkimit nëntokësor rreth 250 metra në dalje të parkimit tokësor dhe do të vazhdojë pastaj deri në terminalet e transportit publik të Tiranës ku do të “ushqehet” me udhëtare, me pasagjerë, me linjat ushqyese urbane dhe me trenat që vinë nga gjithë qytetet e tjera Durrësi, Shkodra, Vlora, e me rradhë. Aeroportin ndërkombëtar të Rinasit në të cilin do të ndërtohet një stacion intermodal treni rrugor dhe ajror.
Trenat ekspres janë pa ndalesë në rrugë, ndërsa ata lokal do të kenë stacionet e tyre në zonat rurale.
Shpejtësia e trenit do të jetë 100/120 km në orë.
Nëse aktualisht në autostradën Tiranë-Durrës përballohet trafiku, dekadat e së nesërmes s’do të jenë të tilla, ndaj treni është një ndër mënyrat efikase të së ardhmes për të shmangur trafikun.


