ERTV ka ndjekur nga afër punimet për transformimin urban të qendrës së Roskovecit, në një hapësirë të dedikuar plotësisht qytetarëve me ambiente shplodhëse e rekreative. Projekti për këtë transformim arrin deri në sheshet e lagjeve dhe hapësirave pranë banesave, ku punimet kanë nisur që nga sistemi i kanalizimeve dhe ndriçimit, e deri te suvatimi dhe lyerja e fasadave të shtëpive.
“Një sipërfaqe e gjitha prej 3.5 hektarësh do të kalojë e gjitha në rikualifikim, jo vetëm sa i takon sheshit, por edhe infrastrukturën nëntokësore të këtij sheshi që ka të bëjë me furnizimin me ujë të pijshëm, me kanalizimet e ujërave të zeza, gjithë furnizimin me energji, deri te ndriçimi i hapësirës urbane. Gjithë fasadat brenda ambientit do kalojnë procesin e suvatimit, lyerjes me bojëra dhe hapësirave rekreative për qytetarët’, tha për ERTV kryetarja e bashkisë Roskovec Majlinda Bufi.
“Ky projekt ka një rëndësi të veçantë edhe për ndërtimin e godinës së re të Bashkisë Roskovec, një godinë ku qytetarët do të kenë mundëisnë që të marrin shërbimet në mënyrë të shpejtë dhe ciëlsore, përmes one stop sop-it që do të ndërtohet aty. Në Maj të vitit që vjen ky projekt do të ketë përfunduar me të gjitha objektet që ka”, shtoi Bufi.
Edhe shkolla e mesme e qytetit të Roskovecit i është nënshtruar rikostruksionit total, ku është ndërtuar çatia e re që nuk ka ekzistuar më parë, e cila ka eleminuar të gjitha rrjedhjet dhe pikimet që vinin nga soleta ekzistuese.
“Është bërë nga e para rrjeti i ndriçimit të shkollës dhe ngrohjes me një sistem qendror. Janë vendosur hapësirat dhe mjetet e nevojshme për laboratorët mësimore. Ndërkohë që punimet vazhdojnë për ndërtimin e plestrës së shkollës nga e para. Për të monitoruar mirëmbajtjen e këtij investmi dhe për të ofruar sigurinë në shkolla, kemi bërë një investim për kamerat e sigurisë”, përfundoi Bufi.