Një makinë policie qëndron e stacionuar 24 orë përpara derës së Taip Matës. Sapo kapërcen portën e hekurt të shtëpisë dykatëshe, kupton se dhimbja dhe tensioni janë përzier bashkë.
Vëllai i Xhaferr Matës, djalit që vrau ish-të dashurën dhe veten mëngjesin e 8 qershorit, nuk e pret mirë mbërritjen tonë. “Kemi folur me z.Taip, babain tuaj”, i themi në hyrje. “Po ju pret në katin e dytë”, përgjigjet zymtë. Taip Matën e gjejmë të ulur në një nga divanet e dhomës së mbytur nga tymi i duhanit. Ai s’e lëshon cigaren nga dora, a thua se e ndihmon të largojë dhimbjen. “Kam jo vetëm dhimbjen për humbjen e djalit, por vuaj njësoj edhe humbjen e Xhuljetës.
Është njësoj si të kem humbur vajzën time. Por ndodhi, s’e zhbëj dot më”, thotë ai. Pak çaste dhe në derë shfaqet motra e 31-vjeçarit. Sytë i ka të ënjtur nga lotët e mezi arrin të nxjerrë fjalë nga goja. Në dhomën e pritjes nuk ka qoftë edhe një foto të Xhaferrit, por babai thotë se “ja aty poshtë, kam gjithçka prej tij”. Bëhet fjalë për servisin ku 31-vjeçari, baba i një djali të mitur kishte ngritur ngjitur me shtëpinë. “Punonte aty tërë kohës”, thotë Taip Mata. Ai ka shumë për të rrëfyer për jetën e të birit. Nis të tregojë historinë e tij, njohjen me bashkëshorten, lindjen e djalit të tyre, tashmë dy 2 vite e gjysmë, problemet mes djalit dhe nuses, njohjen e tij me Xhuljetën e shumëçka. Por një moment hesht. “Nuk dua të lëndoj familjarët e vajzës. U kam shtrirë dorën e faljes. Kam kërkuar prej tyre ta ndajmë dhimbjen bashkë”, – shprehet kryefamiljari.
Ju thatë që ishin bërë dy denoncime si nga vajza, ashtu edhe nga Xhaferri. Keni dijeni nëse djali juaj u mor në pyetje nga prokuroria?
Po, është marrë në pyetje më datë 26 maj. Dy apo tri ditë përpara ishte marrë në pyetje edhe vajza. Besoj se policia dhe prokuroria kanë gabuar, pasi s’kanë marrë kontakte me familjen e vajzës. Aty do të mësonin të gjithë të vërtetën. Ngjarja mund të parandalohej.
Po për armën, keni dijeni ku mund ta ketë gjetur djali juaj?
Ne armë në shtëpi nuk kemi pasur. Po mendoj se Xhafa e ka gjetur nga ndonjë mik i tij.