Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre dykatëshe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht.
Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike në spital. Bilanci është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym të dendur.
Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga banesa. Gjatë kontrollit të ndërtesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.
Një fqinj u ta mediave amerikane se banorët e zonës ndihmuan në përpjekjet për shpëtim, duke nxjerrë nga një dritare e katit të dytë një foshnjë dhe një të rritur.
Të afërmit që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë shqiptare.
Në vendngjarje ishin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari. Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë momentet e dhimbshme të familjarëve pranë banesës së përfshirë nga zjarri.
Fotot nga vendngjarja tregojnë banesën e dëmtuar rëndë nga flakët, ndërsa në oborr shihen ende lodra fëmijësh dhe një kosh basketbolli.
Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40. Flakët shkaktuan dëme të mëdha në banesë dhe prekën edhe dy njësi ngjitur.
Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar personat që kanë mbetur pa strehë.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ende nuk është bërë i ditur.
Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre fëmijëve që humbën jetën dhe solidaritet me të plagosurit.


