Në një prej qyteteve më të bukur të Shqipërisë shtrihet një prej lagunave më të pasura nga aspekti minerar, dhe bimor.
Laguna e Nartës është një nga shumë destinacionet e pa-zhvilluara rishtaz nga planprogramet ekonomikë, kjo për shkak të fokusit që është zhvendosur në plazhet dhe atraksionet e jugut të vendit.
Stina e verës është një mundësi fantastike për të shijuar sikur edhe një fundjavë të shkurtër në lagunën e Nartës.
Pamjet që mund të shihen janë të rralla, të paktën kështu do t’ju duken mëposhtë pasi të keni lexuar lidhur me “Tour of the Day”.
Laguna e Nartës mund të quhet si ‘shtëpia’ e flamingove lozonjare.
Ato tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Kjo është koha më e mirë për “baletin” e tyre klasik. Zogjtë shtegtar në përgjithësi dhe ata lagunorë në veçanti, janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.
Një nga më të preferuarat mbetet Laguna e Karavastasë, për shkak të kushteve të infrastrukturës rrugore, afërsisë me kryeqytetin dhe species së veçantë të Pelikanit Kaçurrel.Por, një nga lagunat më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë është ajo e Nartës.Ajo ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.
Në këtë lagunë bënë pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ku veç të tjerave dallon nga Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri rikonstruktuar rishtazi. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.
Pikërisht këtu fillon dhe laguna e Nartës që shtrihet në veri deri në brigjet e Vjosë dhe në grykëderdhjen e saj në Adriatik. Prej aty mund të soditësh një pjesë të lagunës dhe gjallesat e saj. Shumë vizitorë përdorin dylbi për të parë nga afër zogjtë lagunorë në jetën e tyre të përditshme. Rreth lagunës shtrihen mjaft fshatra të banuar, ku më i afërti është ai i Akërnisë.
Përveç bukurisë natyrore, monumenteve të kultit, historisë së trevës, interes të veçantë paraqet për vizitorët biodiversiteti i gjallesave që gëlojnë në këtë lagunë.
Ky material është përgatitur nga redaksia e ALPENews.al, për “Summer 2018”.




