Një tjetër zyrtar ka përfunduar në prangat e Policisë së Lezhës në lidhje me tjetërsimin e tokës në zonën e mbrojtur të lagunës së Kune Vainit.
Pashk Ndoka, 61 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori i AdZM-së Lezhë, rezulton në kërkim pas arrestimit të katër kolegëve të tij të akuzuar për të njëjtën vepër penale. Operacioni nisi në fillim të muajit qershor ku edhe u arrestuan katër zyrtarë të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Tjetërsimi i Lagunës”.
“Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se bashkë me 4 punonjës të tjerë të AdZM, Lezhë, të ndaluar më parë në kuadër të këtij operacioni, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si dhe se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht të zonës së quajtur ‘Grykëderdhja e Matkeqës’”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
“Në vijim të operacionit ‘Tjetërsimi i Lagunës’, i iniciuar në qershor të këtij viti, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të përfshirë në dëmtimin e zonës së mbrojtur ‘Laguna e KuneVainit’, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, kanë vijuar hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Monitorimit të AdZM, Lezhë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Tjetërsimi i Lagunës’.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se bashkë me 4 punonjës të tjerë të AdZM, Lezhë, të ndaluar më parë në kuadër të këtij operacioni, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si dhe se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune-Vainit, konkretisht të zonës së quajtur ‘Grykëderdhja e Matkeqës’.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në dëmtimin apo keqmenaxhimin e zonave të mbrojtura të qarkut”, tha Policia. Më herët në pranga ka përfunduar edhe kryeplaku i fshatit Grykë Lumi në Tale, Pjetër Luka, 62-vjeç.
Policia bënte me dije se ai akuzohet se në periudha të ndryshme kohore ka përpiluar dhe më pas ka lëshuar dokumente të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone, në favor të personave të tretë. Gjatë kontrollit në banesë policia i ka gjetur dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (me të dhëna të rreme).


