Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka dorëzuar në Prokurinë e Krimeve të Rënda një tjetër padi. Këtë herë ai ka kallëzuar kreun e opozitës Lulzim Bashën, deputatin Ervin Salianjin dhe Florenc Hoxhën.
Ky kallëzim i kryer tek Krimet e Rënda, është për akuzën e “shpifjes” dhe “kallëzim të rremë”. Bëhet fjalë për videon e dytë të Fredi Alizotit.
Padia është depozituar sot tek Krimet e Rënda dhe deputeti socialist akuzon tre persona për “shpifje” dhe “kallëzim të rremë”.
Në videon e Alizotit ai deklaron se është marrë në makinë nga drejtori i policisë Ardi Veliu dhe është takuar me Ballën para prokurorisë ku më pas do të bënte deponimin se ishte ai personi që kishte imituar Agron Xhafajn. Këtë akuzë si Veliu ashtu dhe Balla e kanë mohuar kategorikisht. Madje të dy kanë deklaruar se nuk janë takuar asnjëherë me Fredi Alizotin. Balla më pas nxori emra të tjerë, si përfaqësues të PD-së që sipas tij kanë bërë videon.



