Bashkia e Tiranës dhe rrjeti i vullnetarëve vijuan shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë në zonat e prekura nga vështirësitë e shkaktuara si rrjedhojë e shirave të dendur të ranë gjatë ditëve të fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe vullnetarët e rinj sot shpërndanë ndihma ushqimore dhe veshmbathje për banorët e zonës së Sharrës në Kombinat. Ai u shpreh mirënjohës për gjithë skuadrat e vullnetarëve që janë shpërndarë në çdo cep të Tiranës për të shpërndarë ndihma për çdo familje në nevojë.
“Kemi zgjedhur që të gjithë njerëzve në listën e ndihmës ekonomike t’ju çojmë paketa ushqimore që, teksa merren me rregullimin e shtëpisë dhe kujdesin ndaj fëmijëve, të mos shqetësohen për çështjet e ushqimeve dhe veshmbathjeve. Sot jemi duke shpërndarë ndihma në gjithë zonat periferike të Tiranës, kryesisht zona e Kombinatit, zonat e Bregut të Lumit, zonat e Shkozës, në zonën e Alliasit, ndaj dua të shpreh mirënjohjen time për stafin e bashkisë që, edhe pse jemi në fundjavë, është në krye të detyrës për t’u siguruar që jo vetëm nuk kemi probleme me përmbytjet, por dalim akoma më të fortë falë kësaj situate dhe këtij angazhimi njerëzor që kemi pasur”.
Ndërsa zonat urbane për shkak të investimeve afatgjata nuk pati probleme nga shirat, kryebashkiaku theksoi se vëmendja e Bashkisë së Tiranës në këto ditë është përqendruar kryesisht në zonat rurale, ku ka patur rrëshqitje dherash apo probleme me transportin. Duke u ndalur te situata e furnizimit me ujë, ai falënderoi qytetarët për mirëkuptimin e treguar, ndërsa bëri të ditur se tashmë impianti i Bovillës ka filluar të funksionojë normalisht./ Alpenews.al




