Skuadra e Tiranës në basketboll për femra është shpallur sot në mbrëmje fituese e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 73-57 në finale ndaj Goga Basket, takim që u luajt në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet. Një ndeshje finale mjaft e bukur, me rivalitet për 30 minuta, por e fituar me meritë në fund nga basketbollistet bardheblu, të drejtuara nga trajneri Roland Avrami. Pas një pjese të parë me luhatje, ku herë udhëheq Tirana e herë Goga Basket, në të dytën vjen dominimi i skuadrës kryeqytetase, një ekip më i kompletuar dhe që falë një stoli më të fuqishëm arriti të mposhtë durrsaket. Një triumf që konfirmoi pretendimet e Tiranës këtë sezon për t’i fituar të gjitha trofetë, ku edhe pse e treta në kampionat, falë përforcimeve të kryera në merkaton e dimrit arrin të triufmojë në Kupë (dje bardheblutë eliminuan kampionet vlonjate).
Ndeshja nis e shpejtë për Tiranën, e karikuar pas fitores dje ndaj Flamurtarit, duke u shkëputur shumë shpejt 16-6 ndaj Goga Basket, që vuan shumë në minutat e para të takimit. Diferenca thellohet deri në 13 pikë, me bardheblutë që udhëheqin 24-11 dhe mbyllin periodën e parë në epërsi 28-19. Kur mendohej një thellim i diferencën ndodh e kundërta, pasi durrsaket nisin të rikuperojnë gradualisht, përfitojnë nga një përgjumje e Tiranës, duke ngushtuar shifrat dhe barazuar ato 30-30. Madje Goga arrin për një moment të udhëheq 36-38, duke e bërë mjaft interesante sfidën. Gjithsesi, Tirana rikuperon dhe udhëheq 42-40 në mbyllje të 20 minutave të para. Por Tirana nuk përsërit më të njëjtët gabime dhe në periodën e tretë rikthehet superiore në fushë, duke nisur shkëputjen e dytë në këtë sfidë. Te Goga Basket ndihet mungesa e stolit, ndërkohë që dëmtohet edhe Lalaj në periodën e dytë, ndaj trajneri Driza ka vetëm 6 lojtarë në dispozicion.
Kupa e Shqipërisë – Gjysmëfinalet e femrave
Tirana – Flamurtari, 78-52 (17-21, 28-9, 17-9,16-13)
Goga Basket – Studenti, 82-49 (22-16, 16-14, 18-8, 26-11)
Finale, sot
Tirana – Goga Basket, 73-57 (28-19, 14-21, 19-9, 12-8)
Kupa e Shqipërisë – Gjysmëfinalet e meshkujve (2 shkurt)
Tirana – Kamza Basket, ora 16:00 (salla Feti Borova)
Teuta – Partizani, ora 18.00 (salla Feti Borova)