Vaksinat anti-COVID ruhen në depon qendrore të ISHP-së në kushte të larta sigurie, me policë në derën kryesore, në frigoriferë të mbyllur -80 gradë celcius me çelës dhe në ambiente të monitoruara me kamera sigurie.
Në ditën e tretë vaksinimit anti-COVID në vend, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektuan sot frigoriferët në ISHP ku ruhen vaksinat. Një përgjigje për skeptikët, tha Rama, që kanë hedhur në opinionin publik teori të ndryshme konsiprative mbi mënyrën sesi ruhen vaksinat në Shqipëri. Rama tha se nëse nuk do të ishte kjo qeveri, sot vaksinat anti-COVID “do ishin në dorë të Zotit”.
“Vaksinat do ishin në dorë zotit, por të kishim ato depo. T’ia tregojmë dhe njerëzve se konsipracionet bëjnë punën e vet”, tha Rama.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur me shifra sa i përket kapaciteteve frigoriferike që ka Shqipëri për mbajtjen e vaksinave anti-COVID të kompanive të ndryshme.
“Kapacitetet aktuale në tërësi janë 250 mijë doza vaksine Pfizer në mënyrë të menjëherëshme, dhe për ato të Modernës 950 mijë doza njëkohësisht ndërsa sa i përket kapaciteteve frigoriferike të vaksinave të tjera kemi kapacitete për të pritur 7 mln doza”, tha Manastirliu.